Medien albinfo.ch
Qindra bashkatdhetarë janë bashkuar rreth shoqatës “Pogragja” me seli në Zürich dhe me një ndihmë simbolike, ata kanë bërë gjëra të mëdha për vendlindjen e tyre
Bashkatdhetarët tanë përveç që janë shndërruar në “amortizatorë” të gjendjes sociale në Kosovë, duke dërguar për çdo vit qindra miliona euro remitenca, ata sjellin nga diaspora edhe kulturën e vendeve ku jetojnë. Fshati Pogragjë i komunës së Gjilanit po frymon më lirë dhe po duket më bukur, falë investimeve të mërgimtarëve që jetojnë në Zvicër, por edhe në vendet tjera të botës.
Qindra bashkatdhetarë janë bashkuar rreth shoqatës “Pogragja” dhe me një ndihmë simbolike, ata kanë bërë gjëra të mëdha për vendlindjen e tyre.
Rrugët e fshatit duken më të pastra, ndërsa edhe parqet i ngjanë atyre të fshatrave zvicerane. Varrezat e këtij lokaliteti që dikur i ngjanin një “xhungle”, sot duken krejtësisht ndryshe, ndërsa epitafet e shkuara mbi gurë, janë të vetëm që e dallojnë varrezën nga parqet e zakonshme.
Për mirëmbajtën e varrezave, rrugëve dhe të parqeve, kujdeset një punëtor i kontraktuar nga mërgimtarët, i cili punën e vetme e ka “mirëmbajtjen e fshatit”. Atij, shoqata “Pogragja” ia paguan pagë mujore që konsiderohet optimale për Kosovën, madje edhe kontributet në shtet-pensionet.
Abdyl Mustafa është njëri nga bashkëthemeluesit e shoqatës “Pogragja”, i cili jeton në St.Gallen të Zvicrës. Ai, bashkë me dy bashkëvendës, Agron Aliu dhe Bujar Salihu, duke e parë se vendlindja ka nevojë për ndihmën e tyre, i kanë bashkuar forcat duke kontribuar, njëherë subjektivisht, në një projekt – pastrimin e varrezave.
“Bashkatdhetarët tjerë duke parë se me një ndihmë të vogël bëhen punë të mëdha, iu bashkuan atyre dhe bashkërisht në vitin 2012 e formuan shoqatën “Pogragja” e cila sot ka rreth 140 anëtarë gjithandej Evropës, përfshirë edhe ata në Amerikë”, deklaroi Mustafa për “Albinfo.Ch”.
Anëtarësia në Zvicër, sipas tij, paguan 100 franga në vit, ndërsa në Gjermani, Austri e vendet tjera evropiane nga 50 euro, e po ashtu 50 dollarë e kanë ata që jetojnë në Amerikë.
“Disa nga bashkatdhetarët në Europë e Amerikë kanë kontribuuar dy fish për anëtarësi kur e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj shoqate”, deklaroi mes tjerash Mustafa.
Ai tha se me kontributin e bashkatdhetarëve janë ndërtuar po ashtu edhe kabina pritëse për autobusë, janë vendosë kontejnerë në të gjitha rrugët dhe rrugicat e fshatit, e po ashtu është ndërtuar një kapellë për pastrimin e të vdekurve afër xhamisë. Ndërsa si dhe janë ndihmuar me ndihma 2 familje me gjendje më të rëndë sociale…
“Vetëm kapella ka kushtuar mbi 10 mijë euro”, tha Mustafa i cili ndjehet kënaqur me atë që ka bërë për fshatin.“Ndihma jonë nuk do të ndalet. Do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera”, tha ai, duke treguar gjithashtu, se shoqata ku ai kontribuuan i ka ndihmuar edhe dy familja të fshatit që kanë qenë në gjendje të rëndë sociale.
E veçanta e kësaj shoqata, është transparenca e të hyrave dhe investimeve. Çdo financues dhe anëtarë plasohet në faqen e facebook-ut që ka kjo shoqatë, ku kanë qasje të gjithë anëtarët, por edhe qytetarët tjerë. “Është me rëndësi të theksohet se të gjitha hyrjet dhe daljet e kësaj Shoqate mund të kontrollohen nga te gjithë anëtaret dhe te interesuarit ne webfaqen e Shoqates dhe ne rrjetin sociale”, tha Mustafa.
Për kontributin e bashkatdhetarëve shprehet shumë krenar kryetar i Administratës Lokale të Pogragjës, Qamil Rexhepi. Ai tha për Albinfo.Ch, se nuk ka çmim që e paguan kontributin e mërgimtarëve të Pogragjes që janë kryesisht në Zvicër, por edhe në vendet tjera të Evropës e Amerikës.
“Ne jemi shumë të kënaqur me investimet e vëllezërve bashkatdhetarë, sidomos në mirëmbajtjen e fshatit. Ata po e paguajnë një punëtor për mirëmbajtjen e lagjeve, ndërsa falë ndihmës së tyre, Pogragja sot duket shumë më e bukur”, deklaroi Rexhepi, i cili iu bëri thirrje të gjithë bashkatdhetarëve gjithandej botës, që të bashkohen me shoqatën “Pogragja”.
Ai tha se fshati ka nevojë ende për ndihmën e diasporës, ndërsa ia përcolli një mesazh vëllezërit në mërgim që të kontribuojnë edhe për një projekt – meremetimin e çezmës “te kalaja”.
Ndërsa profesori i gjuhës dhe ish publicisti, Sami Durmishi thotë se atë që nuk e bëri komuna për Pogragjën, e benë bashkatdhetarët, duke i dhënë një pamje krejt tjetër fshatit, përkatësisht rrugëve, parqeve dhe varrezave të fshatit.
“Kontributi i bashkatdhetarëve tanë për fshatin është i jashtëzakonshëm dhe shumë i dobishëm. Ndonëse jetojnë në mërgim, në një masë të madhe ata po kujdesën për mirëqenien e ambientin e vendlindjes, duke bërë që ne këtu ta kemi me lehtë”, deklaroi Durmishi për Albinfo.Ch.
Ai tha se falënderimi për gjithë punën dhe investimet e bëra në fshat u takon gjithë bashkëfshatarëve, sidomos organizatoreve dhe iniciatorëve të shoqatës “Pogragja” e cila tashmë, siç tha Durmishi, është shndërruar në një shtëpi të përbashkët për të gjithë mërgimtarët e këtij lokaliteti.
Ndryshe, fshati Pogragjë shtrihet në juglindje të Gjilanit në anën e djathtë të lumit Morava. Ky fshat njihet edhe për kalanë e vjetër që mbanë të njëjtin emër, ndërsa është bashkësi administrative në të cilën gravitojnë edhe fshatrat tjera të Malësisë së Karadakut, Llofca, Kokajt, Sllubica, Bilinicë dhe Stublina.
Fshati ka rreth 2500 banorë, ndërsa një përqindje e madhe e këtij fshati jetojnë në mërgim, kryesisht në Zvicër e Gjermani, por edhe në Amerikë e Australi.